Skip to content
Opens in a new window

[1] Sepse ligji, duke pasur hijen e të mirave që kishin për të ardhur dhe jo figurën vetë të gjërave, nuk mundet kurrë që t'i bëjë të përkryer ata që i afrohen Perëndisë me anë të të njëjtave flijime që ofrohen vazhdimisht vit për vit.

[2] Sepse përndryshe do të kishin pushuar t'i ofronin, sepse ata që e ushtrojnë kultin, si të pastroheshin një herë, a nuk do të kishin më asnjë vetëdije për mëkatet?

[3] Por në këto flijime përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve,

[4] sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatët.

[5] Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: ''Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup;

[6] ti nuk pëlqeve as olokauste as flijimet për mëkatin.

[7] Atëherë unë thashë: "Ja, unë po vij; në rotullin e librit është shkruar për mua; për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd"''.

[8] Mbasi tha: ''Ti nuk deshe as flijim as mblatë, as olokauste as flijime për mëkatin, që të blatohen sipas ligjit'',

[9] ai shtoi: ''Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi, vullnetin tënd''. Ai heq të parën, që të vërë të dytën.

[10] Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë.

[11] Dhe ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet,

[12] ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë,

[13] duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t'i vihen si ndenjëse për këmbët e tij.

[14] Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.

[15] Por edhe Fryma e Shenjtë na e dëshmon; sepse, mbasi pat thënë më parë:

[16] ''Kjo është Besëlidhja që unë do të bëj me ata pas atyre ditëve, thotë Perëndia, unë do t'i shtie ligjet e mia në zemrat e tyre dhe do t'i shkruaj në mendjet e tyre'',

[17] shton: ''Dhe nuk do t'i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre''.

[18] Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin.

[19] Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit,

[20] me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij,

[21] edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë,

[22] le t'i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjës së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar.

[23] Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi.

[24] Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t'u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,

[25] pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.

[26] Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet,

[27] por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët.

[28] Kushdo që shkel ligjin e Moisiut vritet pa mëshirë me deponimet e dy ose tre dëshmitarëve.

[29] Ç'dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?

[30] Sepse ne e dimë atë që ka thënë: ''Hakmarrja më takon mua, unë do ta jap shpagimin'', thotë Perëndia. Dhe përsëri: ''Perëndia do të gjykojë popullin e vet''.

[31] Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë.

[32] Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh,

[33] herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.

[34] Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t'ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.

[35] Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.

[36] Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.

[37] ''Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë.

[38] Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por ne qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të''.

[39] Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.

Hebrenjve — Chapters