Skip to content
Opens in a new window

[1] Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.

[2] Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

[3] Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: ''Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time'', ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

[4] Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: ''Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij'';

[5] dhe po aty: ''Nuk do të hyjnë në prehjen time''.

[6] Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

[7] ai cakton përsëri një ditë: "Sot", duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: ''Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur''.

[8] Sepse, në qoftë se Jozueu do t'u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.

[9] Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.

[10] Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.

[11] Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.

[12] Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.

[13] Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t'i japim llogari.

[14] Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.

[15] Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t'i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.

[16] Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.

Hebrenjve — Chapters