[1] Sepse çdo kryeprift, që merret prej njerëzve, vihet kryeprift mbi njerëzit për gjërat që kanë të bëjnë me Perëndinë, për të ofruar dhurata dhe flijime për mëkatet;
[2] kështu ai mund të ketë dhembshuri për ata që janë të paditur dhe të gënjyer, sepse edhe ai është i veshur me dobësi,
[3] dhe për këtë arsye është i detyruar të ofrojë flijime për fajet, si për popullin ashtu edhe për veten e tij.
[4] Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni.
[5] Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: ''Ti je im Bir, sot ti më linde'',
[6] dhe ashtu si thuhet diku gjetiu: ''Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut''.
[7] I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.
[8] Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,
[9] dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden,
[10] duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndiaa sipas rendit të Melkisedekut,
[11] për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t'u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar.
[12] Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t'ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta.
[13] Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë;
[14] kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.