[1] Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen;
[2] sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin.
[3] Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.
[4] Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit; me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshmin se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende.
[5] Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.
[6] Edhe pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.
[7] Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.
[8] Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.
[9] Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të nëjtit premtim,
[10] sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.
[11] Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.
[12] Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot.
[13] Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.
[14] Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
[15] Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.
[16] Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.
[17] Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm,
[18] ndonëse Perëndia i pati thënë: ''Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd)'',
[19] sepse Abrahami mendonte se Perëndia ishte i fuqishëm sa ta ringjallte edhe prej së vdekurish; prej të cilëve edhe e mori atë përsëri si një lloj figure.
[20] Me anë të besimit Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun, për gjërat që do të ndodhnin.
[21] Me anë të besimit Jakobi, duke vdekur, bekoi secilin nga bijtë e Jozefit dhe adhuroi duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij.
[22] Me anë të besimit Jozefi, duke vdekur, përmendi eksodin e bijve të Izraelit dhe dha porosi për eshtrat e tij.
[23] Më anë të besimit Moisiu, si lindi, u fsheh nga prindërit e tij tre muaj, sepse ata panë se fëmija ishte i bukur dhe nuk u frikësuan nga urdhëri i mbretit.
[24] Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, nuk pranoi të thuhet i biri i së bijës së Faraonit,
[25] duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit,
[26] duke e çmuar dhunën e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit, sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi.
[27] Me anë të besimit e la Egjiptin pa pasur frikë mërinë e mbretit, sepse qëndroi i patundur sikur të shihte të padukshmin.
[28] Me anë të besimit kremtoi Pashkën dhe bëri spërkatjen e gjakut, me qëllim që ai i cili i vriste të parëlindurit të mos ngiste ata të Izraelit.
[29] Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë, ndërsa kur Egjiptasit u përpoqën ta bëjnë, u mbytën.
[30] Me anë të besimit ranë muret e Jerihos, pasi u suallën rreth tyre shtatë ditë.
[31] Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit.
[32] Dhe ç'të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,
[33] të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,
[34] fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.
[35] Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.
[36] Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.
[37] U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar
[38] (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.
[39] E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,
[40] sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.