[1] Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke thënë:
[2] "Ditën e parë të muajit të parë do të ngresh tabernakullin, çadrën e mbledhjes.
[3] Do të vendosësh atje arkën e dëshmisë dhe do ta fshehësh arkën me një vel.
[4] Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij.
[5] Do të vendosësh altarin e artë për temjanin përpara arkës së dëshmisë, dhe do të vësh perden në hyrje të tabernakullit.
[6] Do ta vësh altarin e olokausteve para hyrjes së tabernakullit, të çadrës së mbledhjes.
[7] Do ta vendosësh legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe do të vësh ujë në të.
[8] Do t'i vendosësh perdet e oborrit rreth e qark dhe do të vësh një perde në hyrje të oborrit.
[9] Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes dhe do të vajosh tabernakullin dhe tërë gjërat që ndodhen aty, dhe do ta shenjtërosh me të gjitha veglat e tij; dhe do të jetë i shenjtë.
[10] Do të vajosh altarin e olokausteve dhe tërë orenditë e tij; do të shenjtërosh kështu altarin dhe altari do të jetë shumë i shenjtë.
[11] Do të vajosh edhe legenin me të gjithë bazën e tij dhe do ta shenjtërosh.
[12] Pastaj do të afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.
[13] Do ta veshësh Aaronin me rrobat e shenjta, do ta vajosh dhe do ta shenjtërosh, që të më shërbejë si prift.
[14] Do të afrosh edhe bijtë e tij dhe do t'i veshësh me tunika,
[15] do t'i vajosh ashtu si do të kesh vajuar atin e tyre, që të më shërbejnë si priftërinj; vajisja e tyre do t'u japë priftëri përjetë, brez pas brezi".
[16] Moisiu ashtu veproi; bëri pikërisht të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar.
[17] Kështu ditën e parë të muajit të parë të vitit të dytë, u ndërtua tabernakulli.
[18] Moisiu e ngriti tabernakullin, hodhi bazat e tij, sistemoi dërrasat e tij, i vuri traversat e tij dhe ngriti shtyllat e tij.
[19] Mbi tabernakullin shtriu perden dhe mbi këtë vendosi mbulesën e çadrës, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[20] Pastaj mori dëshminë dhe e vendosi brenda arkës, u vuri shtizat unazave të arkës, dhe e vuri pajtuesin mbi arkë;
[21] e çoi arkën në tabernakull, e vari velin e perdes dhe kështu fshehu arkën e dëshmisë, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[22] Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit.
[23] Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[24] Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit;
[25] dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[26] Pastaj vuri altarin e artë në çadrën e mbledhjes, përpara velit,
[27] dhe mbi të dogji temjanin e parfumuar, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[28] Vuri gjithashtu perden në hyrje të tabernakullit.
[29] Pastaj vendosi altarin e olokausteve në hyrje të tabernakullit, të çadrës së mbledhjes, dhe mbi të ofroi olokaustin dhe blatimin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[30] Pastaj vuri legenin midis çadrës së mbledhjes dhe altarit dhe e mbushi me ujë për t'u larë.
[31] Dhe me këtë ujë, Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij lanë duart dhe këmbët;
[32] kur hynin në çadrën e mbledhjes dhe kur i afroheshin altarit, ata laheshin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
[33] Ndërtoi gjithashtu oborrin rreth tabernakullit dhe altarit dhe vuri perden në hyrje të oborrit. Kështu Moisiu e përfundoi punën e tij.
[34] Atëherë reja e mbuloi çadrën e mbledhjes dhe lavdia e Zotit e mbushi tabernakullin.
[35] Dhe Moisiu nuk mundi të hyjë në çadrën e mbledhjes, sepse reja e kishte mbuluar nga sipër dhe lavdia e Zotit mbushte tabernakullin.
[36] Në të tëra zhvendosjet e tyre, kur reja ngrihej mbi tabernakullin, bijtë e Izraelit niseshin;
[37] por në rast se reja nuk ngrihej, nuk niseshin deri ditën që ajo të ngrihej.
[38] Sepse reja e Zotit qëndronte mbi tabernakullin gjatë ditës, dhe natën mbi të qëndronte një zjarr, para syve të të gjithë shtëpisë së Izraelit, gjatë gjithë zhvendosjeve së tyre.?