Skip to content
Opens in a new window

[1] Këta janë emrat e bijve të Izraelit që erdhën në Egjipt me Jakobin. Secili prej tyre erdhi me familjen e tij:

[2] Rubeni, Simeoni, Levi dhe Juda,

[3] Isakari, Zabuloni dhe Beniamini,

[4] Dani dhe Naftali, Gadi dhe Asheri.

[5] Tërë njerëzit që kishin dalë nga gjaku i Jakobit arrinin shtatëdhjetë veta (Jozefi ndodhej tashmë në Egjipt).

[6] Pastaj Jozefi vdiq, dhe po ashtu vdiqën tërë vëllezërit e tij dhe gjithë ai brez.

[7] Dhe bijtë e Izraelit qenë frytdhënës, u shumëzuan fort dhe u bënë të shumtë, u bënë jashtëzakonisht të fortë; dhe vendi u mbush me ta.

[8] Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin.

[9] Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne.

[10] Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi".

[11] Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t'i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses.

[12] Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit,

[13] dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t'u shërbenin me ashpërsi,

[14] dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t'i bënin tërë këto punë me ashpërsi.

[15] Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha:

[16] "Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t'i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë".

[17] Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj.

[18] Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?".

[19] Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t'u vijë mamia pranë".

[20] Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë.

[21] Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete.

[22] Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".

Eksodi — Chapters