Skip to content
Opens in a new window

[1] "Tani këto janë ligjet që do t'u vësh para tyre:

[2] Në rast se blen një skllav hebre, ai do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do të shkojë i lirë, pa paguar asgjë.

[3] Në rast se ka ardhur vetëm, do të shkojë vetëm; po të kishte grua, e shoqja do të shkojë bashkë me të.

[4] Në qoftë se zotëria e tij i jep grua dhe kjo i lind bij e bija, gruaja dhe fëmijët e saj do të jenë të zotërisë, dhe ai do të shkojë vetëm.

[5] Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: "Unë e dua zotërinë time, gruan time dhe fëmijët e mi, dhe nuk dua të shkoj i lirë",

[6] atëherë pronari e tij do t'ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalka; pastaj pronari e tij do t'i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t'i shërbejë për gjithnjë.

[7] Në rast se dikush shet bijën e tij si shërbëtore, ajo nuk do të shkojë ashtu si shkojnë skllevërit.

[8] Në qoftë se ajo nuk i pëlqen zotërisë së saj, që e kishte marrë për vete, ai do ta lërë të shpengohet; por nuk do të ketë të drejtën tua shesë njerëzve të huaj, sepse kjo do t'ishte ta trajtosh me mashtrim.

[9] Dhe në qoftë se e marton me birin e tij, do ta trajtojë në bazë të së drejtës të të bijave.

[10] Në rast se merr një grua tjetër, ai nuk do të pakësojë ushqimin dhe veshmbathjen e saj, as edhe bashkëbanimin e saj.

[11] Në rast se nuk bën këto tri gjëra për të, ajo do të shkojë pa dhënë asgjë, pa paguar çmim.

[12] Kush rreh një njeri dhe për këtë shkak ky vdes, do të dënohet me vdekje.

[13] Në qoftë se nuk i ka ngritur kurrfarë prite, por Perëndia ka bërë që t'i bjerë në dorë, unë do të caktoj një vend ku ai mund të gjejë strehë.

[14] Në qoftë se ndokush vepron me paramendim kundër të afërmit të tij për ta vrarë me mashtrim, ti do ta shkëputësh edhe nga altari im, për të siguruar vdekjen e tij.

[15] Kush rreh atin ose nënën e tij do të dënohet me vdekje.

[16] Kush rrëmben një njeri dhe e shet, ose gjendet në duart e tij, do të dënohet me vdekje.

[17] Kush mallkon të atin ose të ëmën do të dënohet me vdekje.

[18] Në qoftë se dy njerëz zihen dhe njëri prej tyre godet tjetrin me gur ose me grusht dhe ky nuk vdes, por duhet të qëndrojë në shtrat,

[19] dhe në se pastaj ngrihet dhe ecën jashtë duke u mbështetur me bastun, ai që e ka goditur do të nxirret i pafajshëm; do ta zhdëmtojë vetëm për kohën e humbur dhe do ta kurojë deri në shërim të plotë.

[20] Në qoftë se dikush rreh skllavin ose skllaven e tij me bastun, dhe ai ose ajo i vdesin në dorë, zotëria do të dënohet;

[21] por në rast se mbijeton një ose dy ditë, nuk do të dënohet, sepse është pronë e tij.

[22] Në rast se disa grinden dhe rrahin një grua me barrë aq sa ajo të dështojë, por nuk pëson dëme të tjera, rrahësi do të gjobitet aq sa t'i kërkojë bashkëshorti i gruas; ai do të paguajë zhdëmtimin simbas përcaktimit të gjykatësve;

[23] por po të jetë se rrjedh ndonjë dëm, do të japësh jetë për jetë,

[24] sy për sy, dhëmb për dhëmb, dorë për dorë, këmbë për këmbë,

[25] djegie për djegie, plagë për plagë, mbretje për mbretje.

[26] Në rast se dikush godet syrin e skllavit ose të skllaves së tij dhe ai humbet, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për syrin e humbur.

[27] Dhe në rast se shkakton rënien e një dhëmbi skllavit ose skllaves së tij, do t'i lërë të shkojnë të lirë si kompensim për dhëmbin e humbur.

[28] Në rast se një ka godet për vdekje me brirët e tij një burrë ose një grua, kau duhet të vritet me gurë dhe mishi i tij nuk do të hahet; por i zoti i kaut do të konsiderohet i pafajshëm.

[29] Por në qoftë se kau e kishte zakon prej kohësh të plagoste me brirët e tij dhe i zoti ishte paralajmëruar, por nuk e kishte mbajtur të mbyllur, dhe kau pastaj vret një burrë o një grua, kau do të vritet me gurë dhe i zoti gjithashtu do të vritet.

[30] Në qoftë se i caktohet një çmim për shpengim, ai duhet të japë për të shpenguar jetën e tij aq sa i kanë caktuar.

[31] Në qoftë se kau godet një bir ose një bijë, do të veprohet ndaj tij sipas po këtij ligji.

[32] Në qoftë se kau godet një skllav ose një skllave, i zoti i kaut do t'i paguajë të zotit të skllavit tridhjetë sikla argjendi dhe kau do të vritet me gurë.

[33] Në qoftë se dikush hap një gropë, ose dikush gërmon një gropë dhe nuk e mbulon, dhe një ka ose një gomar bien brenda,

[34] pronari i gropës do ta paguajë zhdëmtimin; ai do t'i paguajë me para pronarit vleftën e kafshës dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij.

[35] Në qoftë se kau i një njeriu godet për vdekje kaun e një tjetri, do të shitet kau i gjallë dhe do të ndahet çmimi i tij; edhe kau i ngordhur do të ndahet midis tyre.

[36] Por në qoftë se dihet se ky ka e kishte zakon prej kohe të godiste me brirët, dhe i zoti nuk e ka mbajtur të mbyllur, ky do të paguajë ka për ka dhe kafsha e ngordhur do të jetë e tij".

Eksodi — Chapters