[1] "Do të bësh pastaj tabernakullin me dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur, me fije ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, së bashku me kerubinë të punuar artistikisht.
[2] Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë njëzet e tetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të gjitha pëlhurat do të kenë po atë masë.
[3] Pesë pëlhura do të bashkohen midis tyre dhe pesë pëlhurat e tjera do të bashkohen gjithashtu midis tyre.
[4] Do të bësh sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë; të njëjtën gjë do të bësh në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë.
[5] Do të bësh pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme: këto sythe do të korrespondojnë me njëri-tjetrin.
[6] Dhe do të bësh pesëdhjetë kapëse ari dhe do t'i bashkosh pëlhurat njëra me tjetrën me anë të kapëseve, në mënyrë që tabernakulli të formojë një të tërë.
[7] Do të bësh gjithashtu pëlhurë me lesh dhie, që të shërbejnë si çadër mbi tabernakullin: do të bësh njëmbëdhjetë pëlhura të tilla.
[8] Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë tridhjetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të njëmbëdhjetë pëlhurat do të kenë të gjitha po atë masë.
[9] Do të bashkosh pesë pëlhurat midis tyre, dhe gjashtë të tjerat midis tyre; do ta ripalosësh mbi vetveten pëlhurën e gjashtë në pjesën e përparme të çadrës.
[10] Do të bësh gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë dhe pesëdhjetë sythe në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë të pëlhurave.
[11] Do të bësh edhe pesëdhjetë kapëse prej bronzi dhe do t'i futësh kapëset në sythet, duke e bashkuar kështu çadrën në mënyrë që të formojnë një të tërë.
[12] Nga pjesa që tepron nga pëlhurat e çadrës, gjysma e pëlhurës së tepërt do të bjerë mbi pjesën e poshtme të tabernakullit;
[13] dhe kubiti nga një anë dhe kubiti nga ana tjetër që janë të tepërt në gjatësinë e pëlhurave të çadrës, do të bien mbi të dy anët e tabernakullit, njëri nga një krah dhe tjetri në krahun tjetër për ta mbuluar atë.
[14] Do të bësh gjithashtu një mbulesë për çadrën me lëkura dashi të ngjyrosura në të kuq, dhe mbi këtë një tjetër mbulesë me lëkura baldose.
[15] Do të bësh për tabernakullin disa dërrasa prej druri të akacies, të vendosura më këmbë.
[16] Gjatësia e një dërrase do të jetë dhjetë kubitë dhe gjerësia e saj një kubitë e gjysëm.
[17] Çdo dërrasë do të ketë dy kllapa për të bashkuar një dërrasë me tjetrën; kështu do të veprosh për të gjitha dërrasat e tabernakullit.
[18] Do të bësh kështu dërrasat e tabernakullit, njëzet dërrasa për anën jugore.
[19] Do të vësh dyzet baza argjendi poshtë njëzet dërrasave: dy baza poshtë secilës dërrasë për të dy kllapat e veta.
[20] Do të bësh edhe njëzet dërrasa për krahun e dytë të tabernakullit, për anën e tij veriore,
[21] dhe dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë.
[22] Për krahun e pasmë të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, do të bësh gjashtë dërrasa.
[23] Do të bësh edhe dy dërrasa për të dy qoshet e pasme të tabernakullit.
[24] Ato do të çiftëzohen poshtë dhe do të bashkohen lart me një unazë. Kështu ka për të ndodhur me të dyja dërrasat, që ndodhen në të dy qoshet.
[25] Do të ketë, pra, tetë dërrasa me bazat e tyre prej argjendi: gjashtëmbëdhjetë baza, dy baza poshtë çdo dërrase.
[26] Do të bësh edhe disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërës anë të tabernakullit,
[27] pesë traversa për dërrasat e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit.
[28] Traversa qëndrore, në mes të dërrasave, do të kalojë nga njëra anë në tjetrën.
[29] Do t'i veshësh me ar dërrasat dhe do t'i bësh prej ari unazat e tyre nëpër të cilat do të kalojnë traversat, dhe do t'i veshësh me ar traversat.
[30] Do ta ngresh tabernakullin me trajtën e përpiktë që t'u tregua në mal.
[31] Do të bësh një vel me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe me li të hollë dhe të përdredhur, të stolisur me kerubinë të punuar artistikisht,
[32] dhe do ta varësh në katër shtylla prej akacieje të veshura me ar, me grremçat e tyre të arta të vëna mbi baza argjendi.
[33] Do ta varësh velin në kapëset; dhe aty, në anën e brendshme të velit, do të futësh arkën e dëshmisë; veli do t'ju shërbejë si ndarës midis vendit të shenjtë dhe vendit shumë të shenjtë.
[34] Pastaj do ta vësh pajtuesin mbi arkën e dëshmisë në vendin shumë të shenjtë.
[35] Jashtë velit do të vësh përkundrazi tryezën, ndërsa shandani do të shkojë përballë tryezës në krahun jugor të tabernakullit, dhe do ta vendosësh tryezën në krahun verior.
[36] Do të bësh gjithashtu për hyrjen e çadrës një perde me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të përdredhur, puna e një qëndistari.
[37] Do të bësh gjithashtu pesë shtylla akacieje për perden dhe do t'i veshësh me ar; grremçat e tyre do të jenë prej ari dhe do të shkrish për to pesë baza prej bronzi".