Skip to content
Opens in a new window

[1] Tani Betsaleeli dhe Oholiabi si dhe të gjithë njerëzit e aftë, të cilët Zoti i ka pajisur me dituri dhe zgjuarsi për të kryer të gjitha punimet për shërbimin e shenjtërores, kanë për të vepruar sipas urdhrave të Zotit".

[2] Moisiu thirri, pra, Betsaleelin dhe Oholiabin dhe të gjithë njerëzit e urtë nga zemra, të cilët shtyheshin nga zemra për t'i hyrë punës dhe për ta kryer atë.

[3] Dhe ata morën nga Moisiu të gjitha ofertat e sjella nga bijtë e Izraelit për punimet për ndërtimin e shenjtërores dhe kryerjen e tyre. Por çdo mëngjes bijtë e Izraelit vazhdonin t'i sillnin Moisiut oferta vullnetare.

[4] Atëherë të gjithë njerëzit e aftë që kryenin punime të çfarëdo lloji në shenjtërore, duke lënë secili punën që bënte, erdhën

[5] dhe i folën Moisiut, duke thënë: "Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për të kryer punimet që Zoti ka urdhëruar të bëhen".

[6] Atëherë Moisiu dha këtë urdhër që u shpall nëpër kamp, duke thënë: "Asnjë burrë dhe asnjë grua të mos bëjë më ndonjë ofertë për shenjtëroren". Kështue ndaluan popullin të sillte tjetër material.

[7] Sepse materiali që kishin mjaftonte për të gjitha punimet që kishin për të bërë, madje tepronte.

[8] Tërë njerëzit e aftë, midis atyre që punonin për ndërtimin e tabernakullit, bënë dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur dhe me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe; ai i bëri me kerubinë të punuar artistikisht.

[9] Çdo pëlhurë kishte një gjatësi dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të gjitha pëlhurat kishin të njëjtën masë.

[10] Ai bashkoi pesë pëlhura, dhe bashkoi gjithashtu pesë pëlhurat e tjera.

[11] Dhe bëri sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave; bëri të njëjtën gjë në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë.

[12] Ai bëri pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë; sythet korrespondonin njëri me tjetrin.

[13] Dhe bëri edhe pesëdhjetë kapëse ari dhe bashkoi pëlhurat njërën me tjetrën me anë të kapëseve; kështu tabernakulli përbënte një të tërë.

[14] Ai bëri gjithashtu pëlhura me leshin e dhive, që të shërbenin si çadra mbi tabernakullin; ai bëri njëmbëdhjetë nga këto pëlhura.

[15] Çdo pëlhurë kishte një gjatësi prej tridhjetë kubitësh, dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të njëmbëdhjetë pëlhurat kishin të njëjtën masë.

[16] Ai bashkoi pesë pëlhura nga njëra anë dhe gjashtë pëlhura nga ana tjetër.

[17] Bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e perdes së jashtme të serisë së dytë.

[18] Dhe bëri pesëdhjetë kapëse prej bronzi për ta bashkuar çadrën, me qëllim që të përbënte një të tërë.

[19] Bëri gjithashtu për çadrën një mbulesë me lëkura dashi të ngjyera me të kuq, dhe mbi të një mbulesë me lëkura baldosash.

[20] Pastaj bëri për tabernakullin dërrasat prej druri të akacies, të vendosura më këmbë.

[21] Gjatësia e një dërrase ishte dhjetë kubitë dhe gjerësia e saj një kubit e gjysmë.

[22] Çdo dërrasë kishte dy kllapa për të bashkuar njërën dërrasë me tjetrën; kështu ai veproi për të gjitha dërrasat e tabernakullit.

[23] Pastaj ai bëri dërrasat për tabernakullin: njëzet dërrasa për krahun jugor;

[24] dhe bëri dyzet baza prej argjendi nën njëzet dërrasat: dy baza poshtë çdo dërrase për të dy kllapat e veta.

[25] Dhe për anën e dytë të tabernakullit, anën veriore, ai bëri njëzet dërrasa,

[26] me dyzet bazat e tyre prej argjendi, dy baza nën çdo dërrasë.

[27] Për pjesën e pasme të tabernakullit, në drejtim të perëndimit, ai bëri gjashtë dërrasa.

[28] Bëri gjithashtu dy dërrasa për të dy qoshet e pasme të tabernakullit.

[29] Këto çiftoheshin poshtë dhe ishin bashkuar lart me një unazë. Kështu veproi për të dy dërrasat, që ndodheshin në të dy qoshet.

[30] Kishte, pra, tetë dërrasa me bazat e tyre prej argjendi: gjashtëmbëdhjetë baza, dy baza nën çdo dërrasë.

[31] Bëri gjithashtu disa traversa prej druri të akacies: pesë për dërrasat e njërit krah të tabernakullit,

[32] pesë traversa për dërrasat e krahut tjetër të tabernakullit, dhe pesë traversa për dërrasat e pjesës së pasme të tabernakullit, në perëndim.

[33] Pastaj bëri që traversa e qendrës të kalonte në mes të dërrasave, nga njëra anë në tjetrën.

[34] I veshi pastaj dërrasat me ar dhe i bëri prej ari unazat e tyre nga do të kalonin traversat, dhe i veshi me ar traversat.

[35] Bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe me li të hollë të përdredhur me kerubinë të punuar artistikisht;

[36] Bëri për të katër shtylla prej druri të akacies me grremçat e tyre prej ari; dhe shkriu për shtyllat katër baza prej argjendi.

[37] Dhe bëri për hyrjen e çadrës një perde prej filli ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe prej liri të hollë të përdredhur, shkurt puna e një qëndistari.

[38] Bëri gjithashtu pesë shtyllat e saj së bashku me grremçat e tyre i veshi me ar kapitelet dhe dërrasat e tyre; por pesë bazat e tyre ishin prej bronzi.

Eksodi — Chapters