Skip to content
Opens in a new window

[1] Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

[2] "Foli Aaronit dhe i thuaj: Kur do të vendosësh llambat, shtatë llambat duhet të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit".

[3] Dhe Aaroni veproi kështu: i vendosi llambat në mënyrë që të ndriçonin pjesën e përparme të shandanit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

[4] Shandani ishte ndërtuar kështu: ishte prej ari të rrahur; ishte punuar me çekiç nga këmba e tij deri tek lulet e tij. Moisiu e kishte bërë shandanin simbas modelit që i kishte treguar Zoti.

[5] Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

[6] "Merr Levitët ndër bijtë e Izraelit dhe pastroji.

[7] Do të veprosh kështu për t'i pastruar: do të spërkatësh ujë mbi ta për t'i pastruar; pastaj do të heqin një brisk mbi tërë trupin e tyre, do të lajnë rrobat e tyre dhe do të pastrohen.

[8] Pastaj do të marrin një dem të vogël me blatimin e ushqimit prej majë mielli të përzier me vaj ndërsa ti do të marrësh një dem tjetër si flijim për mëkatin.

[9] Do t'i afrosh Levitët përpara çadrës së mbledhjes dhe do të thërrasësh tërë asamblenë e bijve të Izraelit.

[10] Kështu do t'i afrosh Levitët përpara Zotit dhe bijtë e Izraelit do të vënë duart e tyre mbi Levitët;

[11] pastaj Aaroni do t'i paraqesë Levitët si ofertë të tundur para Zotit nga ana e bijve të Izraelit, me qëllim që të kryejnë shërbimin e Zotit.

[12] Pastaj Levitët do të vënë duart e tyre mbi kokën e demave të vegjël, dhe ti do të ofrosh njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust për Zotin, për të bërë shlyerjen për Levitët.

[13] Do t'i mbash më këmbë Levitët përpara Aaronit dhe para bijve të tij dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur për Zotin.

[14] Kështu do t'i ndash Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit dhe Levitët do të jenë të mitë.

[15] Pas kësaj Levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t'i pastrosh dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur,

[16] sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.

[17] Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit.

[18] Mora Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit.

[19] Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores".

[20] Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me Levitët; bijtë e Izraelit u bënë Levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.

[21] Dhe Levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t'i pastruar.

[22] Pas kësaj Levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë Levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.

[23] Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

[24] "Kjo është ajo që u takon Levitëve; nga mosha njëzet e pesë vjeç e lart Leviti do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimet e rastit;

[25] në moshën pesëdhjetë vjeç do ta ndërpresë këtë shërbim dhe nuk do të shërbejë më.

[26] Do të mund të ndihmojë vëllezërit e tij në çadrën e mbledhjes, ndërsa këta kryejnë detyrat e tyre; por ai vetë nuk do të kryejë asnjë shërbim. Kështu do të veprosh me Levitët lidhur me detyrat e tyre".

Numrat — Chapters