Skip to content
Opens in a new window

[1] Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah,

[2] dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë:

[3] "Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij.

[4] Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë".

[5] Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit.

[6] Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

[7] "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t'u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t'u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre.

[8] Do t'u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t'u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t'ia kaloni bijës së tij.

[9] Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të tij.

[10] Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të atit të tij.

[11] Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t'ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.

[12] Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.

[13] Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,

[14] sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).

[15] Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:

[16] "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri

[17] që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t'i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".

[18] Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të;

[19] pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t'i japësh disa urdhra në prani të tyre,

[20] dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t'i bindet.

[21] Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja".

[22] Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë;

[23] pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.

Numrat — Chapters