[1] Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë
[2] "Bëj dy bori prej argjendi; do t'i bësh me argjend të rrahur; do t'i përdorësh për të thirrur asamblenë dhe për të lëvizur fushimet.
[3] Nën tingullin e të dyjave gjithë asambleja do të mblidhet pranë teje, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
[4] Nën tingullin e njerës bori, prijësit, krerët e divizioneve të Izraelit do të mblidhen pranë teje.
[5] Kur do t'i bini alarmit për herë të parë, ata që janë në lindje do të vihen në lëvizje.
[6] Kur do t'i bini alarmit për herë të dytë, ata që janë në jug do të vihen në lëvizje; duhet t'i bini alarmit që të vihen në lëvizje.
[7] Kur duhet të mblidhet asambleja do t'i bini borisë, pa i rënë alarmit.
[8] Do t'u bien borive bijtë e Aaronit, priftërinjtë; ky do të jetë një statut i përjetshëm për ju dhe për trashëgimtarët tuaj.
[9] Kur në vendin tuaj do të shkoni në luftë kundër armikut që ju shtyp, do t'i bini alarmit me boritë; kështu do të kujtoheni përpara Zotit Perëndisë tuaj, dhe do të çliroheni nga armiqtë tuaj.
[10] Po kështu në ditët tuaja të gëzimit, në festat tuaja të caktuara dhe në fillim të muajve tuaj të parë, do t'u bini borive me rastin e olokausteve dhe të flijimeve tuaja të falënderimit; dhe kështu ato do të bëjnë që të kujtoheni përpara Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
[11] Por ndodhi që në vitin e dytë, në muajin e dytë, ditën e njëzetë të muajit, reja u ngrit mbi tabernakullin e dëshmisë.
[12] Dhe bijtë e Izraelit u nisën për rrugë, duke lënë shkretëtirën e Sinait; pastaj reja u ndal në shkretëtirën e Paranit.
[13] Kështu u nisën për rrugë herën e parë simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.
[14] I pari lëvizi flamuri i kampit të bijve të Judës, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Judës e komandonte Nahshoni, bir i Aminadabit.
[15] Nethaneeli, bir i Tsuarit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Isakarit,
[16] ndërsa Eliabi, bir i Helonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Zabulonit.
[17] Pastaj u çmontua tabernakulli dhe bijtë e Merarit dhe të Gershonit u nisën për rrugë, duke transportuar tabernakullin.
[18] Pastaj u vu në lëvizje flamuri i kampit të Rubenit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Rubenit e komandonte Elitsuri, bir i Shedeurit.
[19] Shelumieli, bir i Tsurishadait, komandonte divizionin e fisit të bijve të Simeonit,
[20] ndërsa Eliasafi, bir i Deuelit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Gadit.
[21] Pastaj u vunë në lëvizje Kehathitët, duke transportuar sendet e shenjta; ata do ta ngrinin tabernakullin para ardhjes së tyre.
[22] Pas kësaj u nis flamuri i kampit të bijve të Efraimit, i ndarë simbas formacioneve të tij. Divizionin e Efraimit e komandonte Elishama, bir i Amihudit.
[23] Gamalieli, bir i Pedahtsurit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Manasit,
[24] ndërsa Abidani, bir i Gideonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Beniaminit.
[25] Pastaj filloi të lëvizë flamuri i kampit të bijve të Danit, i ndarë simbas formacioneve të tij, që përbënte praparojën e të gjitha kampeve. Divizioni i Danit komandohej nga Ahiezieri, bir i Amishadait.
[26] Pagieli, bir i Okranit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Asherit,
[27] ndërsa Ahira, bir i Enanit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Neftalit.
[28] Kjo ishte radha e marshimit të bijve të Izraelit, simbas divizioneve të tyre. Kështu u vunë në lëvizje.
[29] Por Moisiu i tha Hobabit, birit të Reuelit, Madianitit, vjehrri i Moisiut: "Ne po vihemi në marshim drejt vendit për të cilin Zoti ka thënë "Unë do t'jua jap". Eja me ne dhe do të të bëjmë të mira,
[30] Hobabi iu përgjegj: "Unë nuk do të vij, por do të kthehem në vendin tim te të afërmit e mi".
[31] Atëherë Moisiu i tha: "Mos na lërë, sepse ti e di ku duhet të fushojmë në shkretëtirë dhe ti do të jesh si sytë për ne.
[32] Në qoftë se vjen me ne, çdo të mirë që do të na bëjë Zoti, ne do të ta bëjmë ty".
[33] Kështu u nisën nga mali i Zotit dhe ecën tri ditë; dhe arka e besëlidhjes së Zotit shkoi para tyre gjatë një udhëtimi prej tri ditësh, për të gjetur një vend ku ata të pushonin.
[34] Dhe reja e Zotit qëndronte mbi ta gjatë ditës, kur niseshin nga kampi.
[35] Kur nisej arka, Moisiu thoshte; "Çohu, o Zot, me qëllim që të shkatërrohen armiqtë e tu dhe të ikin me vrap para teje ata që të urrejnë!".
[36] Dhe kur ndalej, thoshte: "Kthehu, o Zot, pranë morisë së madhe të njerëzve të Izraelit!".