Skip to content
Opens in a new window

[1] Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.

[2] Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.

[3] Prandaj vëllezërit e tij i thanë: ''Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t'i shohin veprat që ti bën.

[4] Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!''.

[5] Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.

[6] Atëherë Jezusi u tha aytre: ''Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.

[7] Bota nuk mund t'ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.

[8] Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar''.

[9] Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.

[10] Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.

[11] Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: ''Ku është ai?''.

[12] Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: ''Ai është i mirë!''. Të tjerë thoshnin: ''Jo, madje ai e mashtron popullin''.

[13] Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.

[14] Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.

[15] Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: ''Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?''.

[16] Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: ''Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.

[17] Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.

[18] Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.

[19] A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?''.

[20] Turma u përgjigj dhe tha: ''Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?''.

[21] Jezusi u përgjigj dhe u tha: ''Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.

[22] Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.

[23] Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?

[24] Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!''

[25] Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: ''A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?

[26] E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?

[27] Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është''.

[28] Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: ''Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s'kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.

[29] Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi''.

[30] Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s'kishte ardhur akoma.

[31] Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: ''Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?''.

[32] Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.

[33] Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.

[34] Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini''.

[35] Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: ''Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?

[36] Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?''.

[37] Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: ''Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.

[38] Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë''.

[39] Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.

[40] Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: ''Ky është me të vërtetë Profeti!''.

[41] Të tjerë thoshnin: ''Ky është Krishti''. Kurse të tjerë thoshnin: ''Vallë nga Galilea vjen Krishti?

[42] A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?''.

[43] Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

[44] Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

[45] Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ''Pse nuk e sollët?''.

[46] Rojet u përgjigjen: ''Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri''.

[47] Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: ''Mos u gënjyet edhe ju?

[48] Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

[49] Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar''.

[50] Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

[51] ''Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç'ka bërë ai?''.

[52] Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s'ka dalë kurrë profet''.

[53] Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.

Gjoni — Chapters