Skip to content
Opens in a new window

[1] Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve.

[2] Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: ''Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të''.

[3] Jezusi iu përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë''.

[4] Nikodemi i tha: ''Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?''.

[5] Jezusi u përgjigj: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

[6] Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë.

[7] Mos u mrrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri".

[8] Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma''.

[9] Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: ''Si mund të ndodhin këto gjëra?''.

[10] Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?

[11] Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

[12] Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?

[13] Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell.

[14] Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut,

[15] që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

[16] Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

[17] Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.

[18] Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

[19] Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

[20] Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;

[21] por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë''.

[22] Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte.

[23] Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin,

[24] sepse Gjoni s'ishte hedhur akoma në burg.

[25] Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.

[26] Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: ''Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai''.

[27] Gjoni u përgjigj dhe tha: ''Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.

[28] Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".

[29] Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!

[30] Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.

[31] Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.

[32] Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.

[33] Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.

[34] Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.

[35] Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.

[36] Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të''.

Gjoni — Chapters