Skip to content
Opens in a new window

[1] Por ditën e parë pas së shtunës, në mëngjes, kur ishte ende errët, Maria Magdalena shkoi te varri dhe pa se guri ishte hequr nga varri.

[2] Atëherë rendi te Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha atyre: ''E kanë hequr Zotin nga varri dhe nuk e dimë ku e vunë''.

[3] Atëherë Pjetri dhe dishepulli tjetër dolën jashtë dhe u nisën për te varri.

[4] Rendnin të dy bashkë, por dishepulli tjetër rendi përpara, më shpejt se Pjetri dhe arriti i pari te varri.

[5] Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.

[6] Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,

[7] dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.

[8] Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.

[9] Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.

[10] Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.

[11] Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,

[12] dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.

[13] Ata i thanë: ''O grua, pse po qan?''. Ajo u përgjigj atyre: ''Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë''.

[14] Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

[15] Jezusi i tha: ''O grua, pse po qan? Kë kërkon?''. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ''Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr''.

[16] Jezusi i tha: ''Mari!''. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ''Rabboni!'', që do të thotë: Mësues.

[17] Jezusi i tha: ''Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj''.

[18] Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.

[19] Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: ''Paqja me ju!''.

[20] Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.

[21] Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju''.

[22] Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: ''Merrni Frymën e Shenjtë!

[23] Kujt do t'ia falni mëkatet, do t'i jenë falur, kujt do t'ia mbani, do t'i jenë mbajtur''.

[24] Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.

[25] Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: ''Kemi parë Zotin''. Por ai u tha atyre: ''Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj''.

[26] Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: ''Paqja me ju!''.

[27] Pastaj i tha Thomait: ''Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!''.

[28] Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: ''Zoti im dhe Perëndia im!''.

[29] Jezusi i tha: ''Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!''.

[30] Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.

[31] Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.

Gjoni — Chapters