Skip to content
Opens in a new window

[1] Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish.

[2] Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.

[3] Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.

[4] Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha:

[5] ''Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t'u jepej fitimi të varfërve?''.

[6] Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç'shtinin atje brenda.

[7] Jezusi, pra, tha: ''Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim.

[8] Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë''.

[9] Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish.

[10] Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin,

[11] sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin.

[12] Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem,

[13] mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: ''Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!''.

[14] Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar:

[15] ''Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!''.

[16] Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të.

[17] Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të.

[18] Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë.

[19] Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: ''A e shihni se s'po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij''.

[20] Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë.

[21] Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: ''Zot, duam të shohim Jezusin''.

[22] Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.

[23] Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: ''Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet,

[24] Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!

[25] Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.

[26] Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.

[27] Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.

[28] O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''.

[29] Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: ''Një engjëll i ka folur!''.

[30] Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.

[31] Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!

[32] Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''.

[33] Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste.

[34] Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''.

[35] Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''.

[36] ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.

[37] Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,

[38] që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''.

[39] Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:

[40] ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''.

[41] Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.

[42] Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,

[43] sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.

[44] Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.

[45] Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.

[46] Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.

[47] Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën.

[48] Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.

[49] Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall.

[50] Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''.

Gjoni — Chapters