Skip to content
Opens in a new window

[1] Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t'ju zënë!

[2] Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

[3] Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t'ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

[4] Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

[5] Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

[6] Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

[7] Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit; shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.

[8] Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.

[9] Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.

[10] O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.

[11] Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.

[12] Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë ''po'' -ja juaj ''po'' dhe ''jo'' -ja ''jo'', që të mos bini nën dënim.

[13] A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!

[14] A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,

[15] dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen.

[16] Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.

[17] Elia ishte një njeri me të njëtat pasionet tona, dhe u lut intensivisht që të mos binte shi, edhe nuk ra shi mbi dhe për tre vjet e gjashtë muaj.

[18] Dhe u lut përsëri dhe qielli dha shi edhe dheu dha frytin e vet.

[19] Vëllezër, në qoftë se ndonjë nga ju del nga rruga e së vërtetës dhe dikush e kthen,

[20] le ta dijë se ai që e kthen mëkatarin nga të gabuarit e rrugës së tij, do të shpëtojë një shpirt nga vdekja dhe do të mbulojë një shumicë mëkatesh.

Jakobit — Chapters