[1] Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja?
[2] Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni.
[3] Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.
[4] O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.
[5] Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: ''Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë''?
[6] Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: ''Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve''.
[7] Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!
[8] Afrohuni te Perëndia dhe ai do t'ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!
[9] Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.
[10] Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë!
[11] Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.
[12] Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër?
[13] Dhe tani, ju që thoni: ''Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë'',
[14] ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç'është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.
[15] Në vend që të thoni: ''Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë''.
[16] Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.
[17] Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.