[1] Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë.
[2] Sepse në qoftë se në asamblenë tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera, dhe hyn edhe një i varfër me një rrobë të fëlliqur,
[3] dhe ju i drejtoni sytë nga ai që vesh rroben e shkëlqyer dhe i thoni: ''Ti ulu këtu, në vendin e mirë'', dhe të varfërit i thoni: ''Ti rri atje, në këmbë'', ose: ''Ulu këtu, afër stolit të këmbëve të mia'',
[4] a nuk bëtë ju një dallim në mes tuaj, duke u bërë kështu gjykatës me mendime të këqija?
[5] Dëgjoni, vëllezër të mi shumë të dashur, a nuk i zgjodhi Perëndia të varfërit e botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë që ua premtoi atyre që e duan?
[6] Po ju i shnderuat të varfërit! A nuk janë vallë të pasurit ata që ju shtypin, dhe nuk janë këta ata që ju heqin nëpër gjykata?
[7] A nuk janë ata që blasfemojnë emrin e lavdishëm që u thirr mbi ju?
[8] Në qoftë se ju më të vërtetë e përmbushni ligjin mbretëror sipas Shkrimit: ''Duaje të afërmin tënd si vetveten'', bëni mirë;
[9] por në qoftë se bëni preferenca personale, ju kryeni mëkat dhe dënoheni nga ligji si shkelës.
[10] Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat.
[11] Sepse ai që ka thënë: ''Mos shkel kurorën'', ka thënë gjithashtu: ''Mos vraj''. Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i ligjit.
[12] Prandaj të flisni e të veproni sikurse të duhej të gjykoheshit nga ligji i lirisë,
[13] sepse gjyqi do të jetë pa mëshirë për atë që nuk ka treguar mëshirë; dhe mëshira triumfon mbi gjykimin.
[14] Ç'dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
[15] Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,
[16] dhe dikush nga ju u thothë atyre: ''Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni'', dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç'dobi ka?
[17] Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s'ka vepra, është i vdekur në vetvete.
[18] Po dikush do të thotë: ''Ti ke besimin, dhe unë kam veprat''; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.
[19] Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
[20] Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?
[21] Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?
[22] Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.
[23] Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: ''Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi''; dhe u quajt miku i Perëndisë.
[24] Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
[25] Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?
[26] Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.