Skip to content
Opens in a new window

[1] Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!

[2] Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,

[3] duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.

[4] Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.

[5] Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t'i jepet.

[6] Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.

[7] Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,

[8] sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.

[9] Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,

[10] dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari.

[11] Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij.

[12] Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan.

[13] Askush kur tundohet të mos thotë: ''Jam tunduar nga Perëndinë'', sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.

[14] Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet.

[15] Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.

[16] Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;

[17] çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.

[18] Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.

[19] Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,

[20] sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.

[21] Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.

[22] Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.

[23] Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë;

[24] ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.

[25] Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.

[26] Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.

[27] Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.

Jakobit — Chapters