Skip to content
Opens in a new window

[1] Pastaj Jakobi u nis dhe shkoi në vendin e lindorëve.

[2] Shikoi dhe pa një pus në një arë, dhe aty pranë tri kope dhensh të mbledhura tok, sepse ai pus shërbente për t'u dhënë ujë kopeve të dhenve; dhe rrasa mbi grykën e pusit ishte e madhe.

[3] Aty mblidheshin zakonisht tërë kopetë; atëherë çobanët e hiqnin rrasën nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë dhenve; pastaj e vinin përsëri rrasën në vendin e saj, në grykën e pusit.

[4] Dhe Jakobi u tha atyre: "Vëllezër të mi, nga jeni?" Ata u përgjigjën: "Jemi nga Harani".

[5] Atëherë ai u tha atyre: "E njihni ju Labanon, birin e Nahorit?". Ata u përgjigjën: "E njohim".

[6] Ai u tha atyre: "A është mirë ai?". Ata u përgjigjën: "Éshtë mirë; dhe ja bija e tij Rakela, e cila po vjen me delet".

[7] Ai tha: "Ja, është ende ditë për diell dhe nuk ka ardhur koha për të mbledhur bagëtinë; jepuni ujë deleve dhe pastaj i çoni të kullosin"

[8] Por ata u përgjigjën: "Nuk mundemi deri sa të gjitha kopetë të mblidhen, e të kemi hequr rrasën nga gryka e pusit; atëherë do t'u japim ujë deleve".

[9] Ai po vazhdonte të fliste me ta kur arriti Rakela me delet e të atit, sepse ajo ishte një bareshë.

[10] Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanos, vëllai i nënës së tij, dhe delet e Labanos, vëlla i nënës së tij, ai u afrua, e hoqi rrasën nga gryka e pusit, dhe i dha ujë kopesë së Labanos, vëllait të nënës së tij.

[11] Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau.

[12] Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t'ia tregonte të atit.

[13] Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra.

[14] Atëherë Labano i tha: "Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!". Dhe ai qëndroi një muaj me të.

[15] Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote".

[16] Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.

[17] Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.

[18] Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël".

[19] Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua".

[20] Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.

[21] Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të".

[22] Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.

[23] Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri te ajo.

[24] Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.

[25] Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".

[26] Labano u përgjegj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.

[27] Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera".

[28] Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.

[29] Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij.

[30] Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano.

[31] Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.

[32] Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: "Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojë".

[33] Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon.

[34] Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi.

[35] Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.

Zanafilla — Chapters