[1] Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".
[2] Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?".
[3] Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im".
[4] Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt".
[5] Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t'i numërosh", pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu".
[6] Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.
[7] Pastaj Zoti i tha: "Unë jam Zoti që të nxori nga Uri i Kaldeasve, për të ta lënë si trashëgimi këtë vend".
[8] Dhe Abrami pyeti: "Zot, Perëndi, nga mund ta dij unë që do ta kem si trashëgim?".
[9] Atëherë Zoti i tha: "Sillmë një mëshqerrë trevjeçare, një dhi trevjeçare, një dash trevjeçar, një turtull dhe një pëllumb të ri".
[10] Atëherë Abrami i shpuri tërë këto kafshë, i ndau më dysh dhe vendosi secilën gjysmë përballë tjetrës; por zogjtë nuk i ndau.
[11] Dhe disa zogj grabitqarë zbritën mbi kafshët e vrara, por Abrami i përzuri.
[12] Me perëndimin e diellit, një gjumë i rëndë e zuri Abramin; dhe ja, një llahtari dhe një errësirë e thellë e kapluan atë.
[13] Atëherë Zoti i tha Abramit: "Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër dhe njerëz të shtypur për katërqind vjet.
[14] Por unë do të gjykoj kombin shërbyesit e të cilit do të kenë qënë; pas kësaj, ata do të dalin me pasuri të mëdha.
[15] Sa për ty, do të shkosh në paqe pranë prindërve të tu dhe do të varrosesh pasi të kesh arritur një pleqëri të bukur.
[16] Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu, sepse padrejtësia e Amorejve s'ka arritur ende kulmin".
[17] Por me të perënduar dielli dhe me të zbritur errësira, na del para syve një furrë që nxjerr tym dhe një pishtar i zjarrtë që kalon përmes kafshëve të ndarë.
[18] Po atë ditë Zoti bëri një besëlidhje me Abramin duke i thënë: "Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit:
[19] Kenejtë, Kenizejtë, Kadmonejtë,
[20] Hitejtë, Perezejtë, Refejtë,
[21] Amorejtë, Kanaanejtë, Girgazejtë dhe Jebuzejtë".