Skip to content
Opens in a new window

[1] Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

[2] Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ''Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

[3] Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t'ua besojmë këtë detyrë.

[4] Kurse ne do të vazhdojmë t'i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës''.

[5] Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

[6] I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

[7] Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

[8] Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

[9] Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

[10] por nuk mund t'i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

[11] Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: ''Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë''.

[12] Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

[13] Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: ''Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

[14] E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu''.

[15] Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.

Veprat e Apostujve — Chapters