Skip to content
Opens in a new window

[1] Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: ''Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni''.

[2] Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.

[3] Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.

[4] Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.

[5] Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: ''Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut''.

[6] Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.

[7] Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ''Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.

[8] Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;

[9] dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.

[10] Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?

[11] Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata''.

[12] Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç'shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.

[13] Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ''Vëllezër, më dëgjoni!

[14] Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.

[15] Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:

[16] "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t'i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,

[17] që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".

[18] Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.

[19] Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,

[20] por t'u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.

[21] Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga''.

[22] Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,

[23] me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ''Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.

[24] Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,

[25] na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t'i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,

[26] njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

[27] Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t'ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.

[28] Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:

[29] që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë''.

[30] Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.

[31] Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.

[32] Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.

[33] Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt.

[34] Por Silës iu duk mirë të mbetej aty.

[35] Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit.

[36] Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: ''Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë''.

[37] Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Mark.

[38] Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë.

[39] Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori Markun, lundroi për në Qipro.

[40] Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë.

[41] Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat.

Veprat e Apostujve — Chapters