[1] Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,
[2] të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.
[3] Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.
[4] Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.
[5] Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,
[6] bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.
[7] Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: ''Me ç'pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?''.
[8] Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: ''Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!
[9] Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,
[10] le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.
[11] Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.
[12] Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi''.
[13] Ata, kur e panë çiltërsinë e Pjetrit dhe të Gjonit dhe duke kuptuar se ishin njerëz të pamësuar dhe pa arsim, u mrrekulluan dhe i njihnin se kishin qenë me Jezusin.
[14] Duke parë pastaj në këmbë pranë tyre, njeriun që u shërua, nuk mund të thoshnin asgjë kundër.
[15] Dhe, mbasi i urdhëruan të dalin jashtë sinedrit, u konsultuan me njëri tjetrin,
[16] duke thënë: ''Ç't'u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse u është njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit se është bërë një mrekulli e dukshme prej tyre, dhe ne nuk mund ta mohojmë;
[17] por, që kjo të mos përhapet më shumë në popull, t'i shtrëngojmë me kërcënime të rrepta të mos i flasin më asnjeriu në këtë emër''.
[18] Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit.
[19] Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: ''Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t'ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.
[20] Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar''.
[21] Ata pasi i kërcënuan përsëri, i lanë të shkojnë duke mos gjetur mënyrë se si t'i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.
[22] Sepse njeriu në të cilin kishte ndodhur ajo mrekulli e shërimit ishte më shumë se dyzet vjeç.
[23] Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë.
[24] Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: ''O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta,
[25] dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?
[26] Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij".
[27] Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit,
[28] për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.
[29] Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi,
[30] duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit''.
[31] Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi.
[32] Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç'kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta.
[33] Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.
[34] Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura,
[35] dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij.
[36] Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë "biri i ngushëllimit"), Levit, me prejardhje nga Qipro,
[37] kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve.