[1] Mbasi u ndamë nga ta, lundruam dhe, duke shkuar drejt, arritëm në Koos, ditën tjetër në Rodos dhe që andej në Patara.
[2] Edhe, si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe lundruam.
[3] Pamë nga larg Qipron dhe e lamë në të majtë, vazhduam lundrimin për në Siri dhe dolëm në Tiro, sepse atje anija kishte për të shkarkuar.
[4] Dhe, si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem.
[5] Kur i plotësuam ato ditë, u nisëm dhe shkuam; dhe na përcollën të gjithë, me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në breg, u lutëm.
[6] Dhe, mbasi u përshëndetëm, hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e veta.
[7] Kur mbaruam lundrimin, nga Tiro erdhëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, kaluam një ditë me ta.
[8] Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai.
[9] Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.
[10] Dhe, pasi qëndruam ne atje shumë ditë, zbriti nga Judeja një farë profeti me emër Agabo.
[11] Si erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi duart dhe këmbët e veta dhe tha: ''Këtë thotë Fryma e Shenjtë: Kështu do ta lidhin Judenjtë në Jeruzalem burrin, të cilit i përket ky brez dhe do t'a dorëzojnë johebrenjve''.
[12] Kur i dëgjuam këto gjëra, ne dhe vendësit iu lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem.
[13] Por Pali u përgjigj: ''Ç'po bëni ju, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm për të qenë i lidhur, por edhe për të vdekur në Jeruzalem për emrin e Zotit Jezus''.
[14] Dhe, mbasi nuk i mbushej mendja, ne pushuam duke thënë: ''U bëftë vullneti i Zotit!''.
[15] Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem.
[16] Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim.
[17] Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
[18] Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë.
[19] Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij.
[20] Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: ''Vëlla, ti po sheh sa mijëra Judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përbahen me zell ligjit.
[21] Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë Judenjtës që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet.
[22] Po atëherë, ç'duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur.
[23] Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn;
[24] merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s'janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin.
[25] Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç'të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria''.
[26] Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata.
[27] Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, Judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të,
[28] duke bërtitur: ''O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë Grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë''.
[29] Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull.
[30] Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorrën jashtë tempullit dhe dyert u mby-llën menjëherë.
[31] Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar.
[32] Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.
[33] Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç'kishte bërë.
[34] Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë.
[35] Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët,
[36] sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: ''Vdekje!''.
[37] Kur Pali do të hynte në fortesë, i tha tribunit: ''A më lejohet të them diçka?''. Ai u përgjigj: ''A di greqisht?
[38] Mos je vallë ai Egjiptasi që disa ditë më parë ngriti krye dhe nxori në shkretëtirë katër mijë gjakësorë?''.
[39] Dhe Pali tha: ''Unë jam një Jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti të Kilikisë që s'është i padëgjuar; dhe të lutem më lejo t'i flas popullit''.
[40] Dhe, mbasi e lejoi, Pali, duke qëndruar në këmbë mbi shkallarët, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe, si u bë heshtje e madhe, i foli në gjuhën hebraike, duke thënë: