[1] Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë, dhe më të rinjtë si vëllezër,
[2] plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dlirësi.
[3] Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja.
[4] Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t'ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë.
[5] Dhe ajo që është me të vërtetë e ve, dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë.
[6] Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur.
[7] Porosit edhe këto gjëra, që të jenë të patëmeta.
[8] Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.
[9] Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm,
[10] dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që i ka rritur fëmijët e saj, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë.
[11] Po mos i prano vejushat më të reja, sepse, duke u dhënë pas dëshirave të tyre, ngrihen kundër Krishtit, duan të martohen,
[12] duke tërhequr mbi vete një dënim, sepse kanë shkelur besimin e parë.
[13] Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota.
[14] Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të përfolur;
[15] sepse disa tashmë devijuan për të ndjekur Satanin.
[16] Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t'i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja.
[17] Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim.
[18] Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë", dhe: ''Punëtori e ka hak mëditjen e tij''.
[19] Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë.
[20] Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë.
[21] Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t'i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi.
[22] Mos i vër duart askujt me ngut dhe mos u bëj pjestar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër.
[23] Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.
[24] Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe përpara gjyqit, ndërsa të tjerëve u duken më pas.
[25] Gjithashtu edhe veprat e mira duken; por edhe ato që janë ndryshe nuk mund të mbeten të fshehura.