[1] Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,
[2] për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.
[3] Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
[4] i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t'ia arrijnë njohjes të së vërtetës.
[5] Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,
[6] i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,
[7] për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.
[8] Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.
[9] Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta,
[10] po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmëri.
[11] Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.
[12] Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.
[13] Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva.
[14] Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.
[15] Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.