Skip to content
Opens in a new window

[1] Kjo fjalë është e sigurt: Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë."

[2] Duhet, pra, që peshkopi të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje të vetme, të jetë i përmbajtur, i arsyeshëm, i matur, mikpritës, i zoti të mësojë të tjerët,

[3] të mos jepet pas verës, të mos jetë i dhunshëm, të mos jetë koprac, por i butë, jo grindavec, të mos lakmojë paranë;

[4] njeri që e qeveris mirë familjen e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjellje;

[5] (sepse në qoftë se dikush nuk di të qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?).

[6] Të mos jetë i posakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gabimet e djallit.

[7] Madje duhet që ai të ketë dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos shahet dhe të bjerë në lakun e djallit.

[8] Gjithashtu dhjakët duhet të jenë dinjitozë, jo me dy faqe në fjalë, të mos jepen pas verës së tepërt, të mos lakmojnë fitime të paligjshme,

[9] dhe ta ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër.

[10] Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën e tyre po të jenë të patëmetë.

[11] Edhe bashkëshortet e tyre të kenë dinjitet, jo shpifarake, por të përmbajtura dhe besnike në gjithçka.

[12] Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje të vetme, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe familjet e veta.

[13] Sepse ata që e kanë kryer mirë shërbesën, fitojnë reputacion të mirë dhe siguri të madhe në besimin në Jezu Krishtin.

[14] Po t'i shkruaj këto gjëra duke shpresuar që të vij së shpejti te ti,

[15] por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës.

[16] Dhe s'ka asnjë dyshim se misteri i mëshirës është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër johebrenj, u besua në botë, u ngrit në lavdi.

1 Timoteut — Chapters