Skip to content
Opens in a new window

[1] Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve,

[2] që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre,

[3] të cilët do të ndalojnë martesën dhe do të urdhërojnë të mos hani ushqimet që Perëndia i krijoi, të merren me falënderim nga ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën.

[4] Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s'është për t'u hedhur, nëse merret me falënderim,

[5] sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.

[6] Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht.

[7] Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri,

[8] sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.

[9] Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t'u pranuar në çdo mënyrë.

[10] Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.

[11] Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra.

[12] Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.

[13] Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.

[14] Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë.

[15] Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.

[16] Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.

1 Timoteut — Chapters