Skip to content
Opens in a new window

[1] Kur Jabini, mbret i Hatsorit, i mësoi këto ngjarje, u dërgoi lajmëtarë Johabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit dhe atij të Akshafit,

[2] mbretërve që ndodheshin në veri të zonës malore, në Arabah, në jug të Kinerethit, në ultësirën dhe mbi lartësitë e Dorit, në perëndim,

[3] Kananejve që ishin në lindje dhe në perëndim, Amorejve, Hitejve, Perezejve dhe Jebusejve në krahinën malore, Hivejve në këmbët e malit Hermon në vendin e Mitspahut.

[4] Kështu ata dolën, ata vetë me tërë ushtritë e tyre, një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit dhe me kuaj e qerre në një numër shumë të madh.

[5] Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit.

[6] Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t'i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre".

[7] Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan;

[8] dhe Zoti i dha në duart e Izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre.

[9] Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret.

[10] Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.

[11] Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.

[12] Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.

[13] Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.

[14] Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.

[15] Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

[16] Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,

[17] nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.

[18] Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.

[19] Nuk pati qytet që të bënte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të Hivejve që banonin në Gabaon; i pushtuan të gjitha me luftë.

[20] Në fakt ishte Zoti vetë që fortësonte zemrën e tyre që të bënin luftë kundër Izraelit, me qëllim që Izraeli të vendoste shfarosjen e tyre pa asnjë mëshirë për ta, por t'i zhdukte nga faqja e dheut ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

[21] Po në këtë periudhë Jozueu u nis në marshim dhe shfarosi Anakitët e krahinës malore, ata të Hebronit, të Debirit, të Anabit, të të gjithë krahinës malore të Judës dhe të të gjithë krahinës malore të Izraelit; Jozueu vendosi shfarosjen e tyre të plotë bashkë me qytetet e tyre.

[22] Nuk mbetën më Anakitë në vendin e bijve të Izraelit; mbetën disa prej tyre vetëm në Gaza, në Gath dhe në Ashod.

[23] Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë vendin, pikërisht ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut; Jozueu ia la pastaj si trashëgim Izraelit, simbas ndarjeve të tyre në fise. Dhe kështu vendi pati një pushim nga lufta.

Jozueu — Chapters