Skip to content
Opens in a new window

[1] Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti.

[2] Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.

[3] Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet.

[4] Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.

[5] Sepse secili do të mbajë barrën e vet.

[6] Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson.

[7] Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç'të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.

[8] Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.

[9] Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.

[10] Prandaj, sa të kemi rast, le t'u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.

[11] Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!

[12] Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.

[13] Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.

[14] Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.

[15] Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s'kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.

[16] Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.

[17] Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.

[18] Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.

Galatasve — Chapters