Skip to content
Opens in a new window

[1] Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

[2] Ja, unë, Pali, po ju them se, në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t'ju bëjë dobi aspak.

[3] Edhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë mbarë ligjin.

[4] Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri.

[5] Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë,

[6] sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s'kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie.

[7] Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?

[8] Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.

[9] Pak maja e bën të vijë gjithë brumin.

[10] Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju turbullon juve, kushdo qoftë, do të marrë dënimin.

[11] Sa për mua, o vëllezër, në qoftë se unë vazhdoj të predikoj rrethprerjen, përse më përndjekin akoma? Atëherë skandali i kryqit ra poshtë.

[12] Oh, sikur ata që ju turbullojnë, të gjymtoheshin vetë!

[13] Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t'i shërbeni njëri-tjetrit.

[14] Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: ''Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!''.

[15] Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

[16] Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

[17] sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

[18] Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

[19] Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,

[20] idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,

[21] smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

[22] Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.

[23] Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

[24] Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.

[25] Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.

[26] Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.

Galatasve — Chapters