[1] Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,
[2] por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.
[3] Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,
[4] por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,
[5] që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.
[6] Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: ''Abba, Atë!''.
[7] Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.
[8] Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;
[9] kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t'u nënshtroheni?
[10] Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.
[11] Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.
[12] O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s'më keni bërë asnjë të keqe.
[13] Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;
[14] dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s'patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.
[15] Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m'i jepnit mua.
[16] A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?
[17] Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t'ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.
[18] Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.
[19] Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!
[20] Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.
[21] Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
[22] Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.
[23] Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.
[24] Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.
[25] Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.
[26] Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.
[27] Sepse është shkruar: ''Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin''.
[28] Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.
[29] Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.
[30] Po çfarë thotë shkrimi? ''Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës''.
[31] Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.