[1] Pastaj më çoi te porta, te porta që shikon nga lindja.
[2] Dhe ja, lavdia e Perëndisë të Izraelit vinte nga lindja. Zëri i tij ishte si zhurma e shumë ujërave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij.
[3] Vegimi që pashë në dukje ishte i ngjashëm me vegimin që pata kur shkova për të shkatërruar qytetin, vegimi ishte i ngjashëm me vegimet që pata pranë lumit Kebar; unë rashë me fytyrë.
[4] Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja.
[5] Pastaj Fryma më ngriti lart dhe më çoi në oborrin e brendshëm; dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin.
[6] Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, ndërsa një burrë rrinte më këmbë pranë meje;
[7] dhe ai më tha: "Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim dhe vendi ku vë këmbët e mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përjetë. Dhe shtëpia e Izraelit nuk do ta ndotë më emrin tim të shenjtë,
[8] duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia duke pasur vetëm një ndarëse midis meje dhe atyre, duke e ndotur kështu emrin tim të shenjtë me veprimet e neveritshme që kryenin; prandaj në zemërimin tim i shkatërrova.
[9] Tani do të largojnë nga unë kurvërimet e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre, dhe unë do të banoj në mes të tyre përjetë.
[10] Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,
[11] dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t'i zbatojnë në praktikë.
[12] Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.
[13] Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;
[14] nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjërë; nga plaftorma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjërë.
[15] Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.
[16] Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjërë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.
[17] Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjërë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".
[18] Pastaj më tha: "Bir njeriu, kështu thotë Zoti, Zoti: Këto janë statutet për altarin kur të ndërtohet për të ofruar olokaustet dhe për ta spërkatur sipër me gjak.
[19] Priftërinjtë levitikë që vjnë nga fisi i Tsadokut, të cilët më afrohen për të më shërbyer", thotë Zoti, Zoti, "ti do t'u japësh një dem të ri për flijimin e mëkatit.
[20] Do të marrësh pak gjak prej tij dhe do ta vësh mbi katër brirët e altarit, mbi katër qoshet e platformës dhe rreth e qark buzës; kështu do ta pastrosh dhe do të kryesh shlyerjen për të.
[21] Pastaj do të marrësh demin e ri të flijimit të mëkatit dhe do ta djegësh në një vend të caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.
[22] Ditën e dytë do të ofrosh si flijim për mëkatin një cjap pa të meta dhe me të do të pastrohet altari siç u pastrua me demin e ri.
[23] Me të përfunduar pastrimin e tij, do të ofrosh një dem të ri pa të meta dhe një dash të kopesë pa të meta.
[24] Do t'i paraqesësh përpara Zotit, dhe priftërinjtë do të hedhin mbi ta kripë dhe do t'ia ofrojnë si olokaust Zotit.
[25] Shtatë ditë do të ofrosh një cjap si flijim për mëkatin; do të ofrosh gjithashtu një dem të ri dhe një dash të kopesë, të dy pa të meta.
[26] Shtatë ditë do të bëhet shlyerja për altarin, do të pastrohet dhe do të shenjtërohet.
[27] Me të mbaruar këto ditë, nga dita e tetë e tutje priftërinjtë do të ofrojnë mbi altar olokaustet tuaja dhe flijimet tuaja të falenderimit, dhe unë do t'ju pëlqej", thotë Zoti, Zoti.