[1] Unë po shikoja dhe ja, mbi kupën qiellore që ishte mbi kryet e kerubinëve, dukej mbi ta një si gur safiri që i përngjante nga forma një froni.
[2] Zoti i foli pastaj njeriut të veshur me rroba liri dhe i tha: "Shko midis rrotave poshtë kerubinit, mbushi duart me qymyr të ndezur që është midis kerubinëve dhe përhapi mbi qytetin". Dhe ai shkoi, ndërsa unë shikoja.
[3] Kur hyri ai njeri, kerubinët rrinin në të djathtë të tempullit dhe reja mbushte oborrin e brendshëm.
[4] Pastaj lavdia e Zotit u ngrit mbi kerubinin duke lëvizur drejt pragut të tempullit; atëherë tempulli u mbush me renë dhe oborri u mbush me shkëlqimin e lavdisë të Zotit.
[5] Zhurma e krahëve të kerubinëve u dëgjua deri në oborrin e jashtëm, ashtu si zëri i Perëndisë të plotfuqishëm kur flet.
[6] Kur Zoti e urdhëroi njeriun e veshur me rroba liri, duke thënë: "Merr zjarrin midis rrotave që ndodhen ndër kerubinë", ai shkoi të ndalet pranë një rrote.
[7] Atëherë një kerubin shtriu dorën midis kerubinëve drejt zjarrit që ishte mes tyre, e mori dhe e vuri në duart e njeriut të veshur me rroba liri, që e pranoi dhe doli.
[8] Kerubinët dukeshin sikur kishin formën e dorës së njeriut poshtë krahëve.
[9] Shikova akoma dhe ja, në krah të kerubinëve kishte katër rrota, një rrotë përbri çdo kerubini dhe një rrotë tjetër për çdo kerubin tjetër; rrotat kishin pamjen e një guri të topazit.
[10] Dukej sikur që të katra kishin po atë formë, sikur një rrotë të ishte në mes të tjetrës.
[11] Kur lëviznin, shkonin nga një prej katër drejtimeve të tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin, por ndiqnin drejtimin që kishte marrë koka e tyre dhe, duke shkuar, nuk silleshin.
[12] Tërë trupi i tyre, kurrizi i tyre, duart e tyre, krahët e tyre ishin plot me sy rreth e qark, po, edhe vetë rrotat që kishin të katër.
[13] Unë dëgjova që rrotat quheshin "Turbina".
[14] Çdo kerubin kishte katër fytyra; fytyra e parë ishte fytyra e kerubinit, fytyra e dytë ishte fytyra e njeriut, fytyra e tretë fytyra e luanit dhe fytyra e katërt ajo e shqiponjës.
[15] Pastaj kerubinët u ngritën. Ata ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë pranë lumit Kebar.
[16] Kur kerubinët lëviznin, edhe rrotat lëviznin nga ana e tyre; dhe kur kerubinët hapnin fletët për t'u ngritur nga toka, rrotat nuk largoheshin nga krahu i tyre.
[17] Kur ata ndaleshin, ndaleshin edhe ato; kur ata ngriheshin, ngriheshin edhe ato bashkë me ta, sepse fryma e qënieve të gjalla ishte ndër ta.
[18] Lavdia e Zotit u largua pastaj nga pragu i tempullit dhe u ndal te kerubinët.
[19] Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe u ngritën nga toka para syve të mi; ndërsa po largoheshin edhe rrotat ishin pranë tyre. U ndalën pastaj te hyrja e portës që shikonte nga lindja e shtëpisë të Zotit, ndërsa lavdia e Perëndisë të Izraelit qëndronte lart mbi ta.
[20] Ishin po ato qenie të gjalla që kisha parë nën Perëndinë e Izraelit pranë lumit Kebar dhe njoha që ishin kerubinë.
[21] Secili prej tyre kishte katër fytyra, secili katër krahë dhe poshtë krahëve të tyre dilte forma e dorës së njeriut.
[22] Sa për pamjen e fytyrave të tyre, ishin po ato fytyra që kisha parë pranë lumit Kebar; ishin po ato shëmbëlltyra dhe po ata kerubinë. Secili shkonte drejt para tij.