Skip to content
Opens in a new window

[1] Fjala e Zotit m'u drjetua vitin e nëntë, muajin e dhjetë, ditën e dhjetë të muajit:

[2] "Bir njeriu, shkruaje datën e sotme, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë ka vendosur të rrethojë Jeruzalemin pikërisht sot.

[3] Propozoji një shëmbëlltyrë kësaj shtëpie rebele dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Nxirre tenxheren, vëre mbi të dhe mbushe me ujë.

[4] Fut në të copat e mishit, gjithë copat e mira, kofshën dhe shpatullën; mbushe me kocka të zgjedhura.

[5] Merr më të mirën e kopesë, pastaj grumbullo nën të dru; vëre të ziejë fort, me qëllim që në të të ziejnë edhe kockat".

[6] Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar, tenxheres ku ka papastërti, papastërti që nuk hiqet. Zbraze pjesë pjesë pa hedhur short mbi të.

[7] Sepse gjaku i tij është në mes të tij; e ka vënë në majë të një shkëmbi, nuk e ka shkapërderdhur për tokë për ta mbuluar me pluhur.

[8] Për të nxitur tërbimin, për t'u hakmarrë, ka vënë gjakun e tij në majë të një shkëmbi, që të mos mbulohet".

[9] Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do të ndez një zjarr të madh.

[10] Mblidh drutë, ndiz zjarrin, piqe mirë mishin, përziej beharnat dhe lëri kockat të digjen.

[11] Pastaj vëre tenxheren bosh mbi qymyr, që të ngrohet dhe bronzi i saj të skuqet me qëllim që papastërtia e saj të hiqet nga mesi i saj dhe pisllëku i saj të konsumohet.

[12] Ai më ka lodhur me gënjeshtrat e tij; pisllëku i madh i tij nuk po hiqet; pisllëku i tij do të marrë fund mbi zjarrin.

[13] Ka shthurje në papastërtinë tënde. Unë, pra, kërkova të të pastroj, por ti nuk je i pastër; nuk do të pastrohesh më nga papastërtia jote, deri sa të mos kem shfryrë mbi ty tërbimin tim.

[14] Unë, Zoti, fola; kjo gjë do të ndodhë, unë do ta kryej; nuk do të prapsem, nuk do të kem mëshirë, nuk do të pendohem. Ti do të gjykohesh sipas sjelljes tënde dhe sipas veprimeve e tua, thotë Zoti, Zoti".

[15] Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

[16] "Bir njeriu, ja, unë do të të heq me një goditje të vetme kënaqësinë e syve të tu; por ti mos u trishto, mos vajto dhe mos derdh asnjë lot.

[17] Vajto në heshtje, mos mbaj zi për të vdekurit, lidhe kokën me çallmë, mbath sandalet, mos e mbulo mjekrën dhe mos ha bukën e njerëzve që mbajnë zi".

[18] Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja; të nesërmen në mëngjes veprova ashtu si më kishin urdhëruar.

[19] Populli atëherë më pyeti: "A do të na shpjegosh ç'kuptim ka për ne ajo që ti bën?".

[20] Unë u përgjigja: "Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

[21] I thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të përdhos shenjtëroren time, krenarinë e forcës suaj, kënaqësinë e syve tuaj, kënaqësinë e shpirtit tuaj; dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja që keni lënë do të rrëzohen nga shpata.

[22] Dhe ju do të bëni ashtu si bëra unë: nuk do ta mbuloni mjekrën dhe nuk do të hani bukën e njerëzve që mbajnë zi.

[23] Do të keni mbi kokë çallmat tuaja, sandalet tuaja te këmbët; nuk do të trishtoheni dhe nuk do të qani, por do ta hani veten për paudhësitë tuaja dhe do të vajtoni njeri me tjetrin.

[24] Kështu Ezekieli do të jetë për ju një shenjë; ju do të veproni për çdo gjë ashtu si veproi ai. Kur do të ndodhin këto gjëra, do të pranoni se unë jam Zoti, Zoti.

[25] Dhe ti, bir njeriu, ditën që atyre do t'u marr fortesën e tyre, gëzimin e lavdisë së tyre, kënaqësinë e syve të tyre, lakminë e shpirtit të tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre,

[26] atë ditë një ikanak do të vijë te ti që të të sjellë lajmin.

[27] Atë ditë ti do të hapësh gojën me ikanakun; atëherë ti do të flasësh dhe nuk do të jesh më memec, dhe do të jesh një shenjë për ta. Atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti".

Ezekieli — Chapters