[1] Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni,
[2] dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot.
[3] Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,
[4] se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,
[5] edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.
[6] Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë.
[7] Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve.
[8] Më së fundi m'u shfaq edhe mua, si në dështimit.
[9] Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë.
[10] Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.
[11] Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.
[12] Por, në qoftë se predikohet se Krishti u ringjall prej së vdekurish, si atëherë disa nga ju thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurve?
[13] Në qoftë se nuk ka ringjallje të të vdekurve, as Krishti nuk u ringjall.
[14] Por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj.
[15] Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë, se ai ringjalli Krishtin, të cilin ai nuk e paska ringjallur, po të jetë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen.
[16] Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, as Krishti nuk është ringjallur;
[17] por në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja,
[18] edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur.
[19] Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve.
[20] Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur.
[21] Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu.
[22] Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin,
[23] por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij
[24] Pastaj do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi.
[25] Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta.
[26] Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.
[27] Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë.
[28] Dhe kur t'i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t'i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë.
[29] Përndryshe çfarë do të bëjnë ata që pagëzohen për të vdekurit? Në qoftë se me të vërtetë të vdekurit nuk ringjallen, përse ata edhe pagëzohen për të vdekurit?
[30] Përse jemi edhe ne në rrezik në çdo orë?
[31] Përditë unë po vdes për shkak të mburrjes për ju, që kam në Krishtin Jezu, Zotin tonë.
[32] Nëse u ndesha në Efes si njeri kundër bishave, ç'dobi kam? Në qoftë se të vdekurit nuk ringjallen, le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.
[33] Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.
[34] Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.
[35] Por do të thotë ndonjë: ''Si ringjallen të vdekurit, edhe me ç'trup do të vijnë?''.
[36] O i pamend! Atë që ti mbjell, nuk ngjallet, nëse nuk vdes përpara.
[37] Dhe atë që mbjell, ti nuk mbjell trupin që do të bëhet, por një kokërr të zhveshur, ndoshta nga grurë ose ndonjë farë tjetër.
[38] Po Perëndia i jep trup si të dojë, secilës farë trupin e vet.
[39] Jo çdo mish është i njëjti mish; por tjetër është mishi i njerëzve, tjetër mishi i bagëtive, tjetër i peshqve dhe tjetër i shpendëve.
[40] Dhe ka trupa qiellorë dhe trupa tokësorë; por tjetër është lavdia e trupave qiellorë e tjetër e atyreve të tokës.
[41] Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli.
[42] Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje.
[43] Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi.
[44] Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror.
[45] Kështu edhe është shkruar: ''Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë.
[46] Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori.
[47] Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli.
[48] Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët.
[49] Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.
[50] Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen.
[51] Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment,
[52] sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi,
[53] sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë.
[54] Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: ''Vdekja u përpi në fitore''.
[55] O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?
[56] Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji.
[57] Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.
[58] Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.