[1] Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,
[2] sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.
[3] Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim.
[4] Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.
[5] Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhëra, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhëra, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.
[6] Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t'ju flisja në gjuhë, ç'dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?
[7] Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?
[8] Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?
[9] Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë.
[10] Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim.
[11] Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua.
[12] Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t'i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.
[13] Prandaj ai që flet një gjuhë tjetër, le të lutet që të mund ta interpretojë,
[14] sepse, në qoftë se unë lutem në një gjuhë tjetër, fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme.
[15] Po atëherë? Do të lutem me frymën, por do ta bëj edhe me mendjen; do të këndoj me frymën, por do të këndoj edhe me mendjen.
[16] Me fjalë të tjera, në qoftë se ti e lavdëron Perëndinë me frymën, ai që zë vendin e profanët, si do të thotë "amen" për falënderimin tënd, kur nuk merr vesh ç'po thua?
[17] Sepse ti edhe mund të falënderosh mirë, por tjetri nuk ndërtohet.
[18] Unë e falënderoj Perëndinë time, sepse flas më shumë në gjuhë se ju të gjithë.
[19] Por në asamble parapëlqej të them pesë fjalë me mënçurinë time për mësimin e të tjerëve se dhjetë mijë fjalë në gjuhë tjetër.
[20] Vëllezër, mos u bëni kalamaj nga mendja, por bëhuni foshnje për të ligën, dhe burra të pjekur nga mendja.
[21] Në ligj është shkruar: ''Unë do t'i flas këtij populli në gjuhë të huaja dhe me buzë të tjera, por as kështu nuk do të më dëgjojnë'', thotë Zoti.
[22] Prandaj gjuhët janë një shenjë jo për ata që besojnë, por për jobesimtarë, kurse profecia nuk është për jobesimtarë, po për besimtarë.
[23] Pra, në qoftë se, kur gjithë kisha është mbledhur në një vend, të gjithë flasin gjuhëra dhe hyjnë profanë ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se ju kanë dalë mendtë?
[24] Por, në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn një jobesimtar ose një profan, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë.
[25] Dhe kështu të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë me faqe përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush.
[26] Ç'duhet bërë, pra, o vëllezër? Kur të mblidheni, secili nga ju ka një psalm, një mësim, fjalim në gjuhë tjetër, zbulesë, interpretim, çdo gjë le të bëhet për ndërtim.
[27] Nëse ndonjë flet në gjuhë tjetër, le të bëhet kjo nga dy a më të shumtën tre vetë dhe njeri pas tjetrit, dhe një le të interpretojë.
[28] Por nëse nuk ka iterpretues, le të heshtë në kishë dhe le të flasë me veten e tij dhe me Perëndinë.
[29] Le të flasin dy a tre profetë, dhe të tjerët të gjykojnë.
[30] Por nëse ka një zbulesë ndonjë tjetër që rri ulur, le të heshtë i pari.
[31] Sepse të gjithë, njeri pas tjetrit, mund të profetizojnë, që të mësojnë të gjithë dhe të inkurajohen të gjithë.
[32] Frymërat e profetëve u nënshtrohen profetëve,
[33] sepse Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.
[34] Gratë tuaja të heshtin në kishë, sepse nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, sikurse thotë edhe ligji.
[35] Dhe në qoftë se duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është e turpshme për gratë të flasin në kishë.
[36] Prej jush doli fjala e Perëndisë? Apo vetëm te ju arriti?
[37] Në qoftë se dikush mendon se është profet ose frymëror, le të njohë se ato që po ju shkruaj janë urdhërime të Zotit.
[38] Dhe nëse dikush është i paditur, le të jetë i paditur.
[39] Prandaj, o vëllezër të mi, kërkoni me zemër të zjarrtë të profetizoni dhe mos ndaloni të flasin në gjuhëra.
[40] Por të gjitha të bëhen sikur ka hije dhe me rregullsi.