Skip to content
Opens in a new window

[1] Pas këtyre gjërave, pashë katër engjëj të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonjë dru.

[2] Pastaj pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lind dielli e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë; dhe u thirri me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve u qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin,

[3] duke thënë: ''Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, deri sa t'i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë''.

[4] Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit.

[5] Nga fisi i Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Gadit dymbëdhjetë mijë të vulosur;

[6] nga fisi i Asherit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Neftalit, dymbëdhjetë mjië të vulosur; nga fisi i Manasit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

[7] nga fisi i Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Isakarit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

[8] nga fisi i Zabulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Jozefit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.

[9] Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.

[10] Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: ''Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit''.

[11] Dhe të gjithë engjëjt rrinin në këmbë përqark fronit, dhe pleqve dhe katër qenieve e gjalla, dhe ranë përmbys mbi fytyrën e tyre përpara fronit dhe adhuruan Perëndinë,

[12] duke thënë: ''Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falendërimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!''.

[13] Pastaj një nga pleqtë m'u drejtua, duke më thënë: ''Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?''.

[14] Dhe unë i thashë: ''Imzot, ti e di''. Atëherë ai më tha: ''Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

[15] Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.

[16] Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t'i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

[17] sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t'i kullosë dhe do t'i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre''.

Zbulesa — Chapters