Skip to content
Opens in a new window

[1] Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: ''Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë''.

[2] I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj.

[3] Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq.

[4] Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak.

[5] Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: ''Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra.

[6] Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë''.

[7] Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: ''Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta''.

[8] Dhe engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi dielli; dhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr.

[9] Dhe njerëzit u dogjën nga një nxehtësi e madhe dhe ata blasfemuan emrin e Perëndisë që ka pushtet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan që t'i japin lavdi atij.

[10] Dhe engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës; dhe mbretëria e tij u mbulua me terr; dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga dhembja,

[11] dhe blasfemuan Perëndinë e qiellit për shkak të dhembjeve të tyre dhe ulçerët e tyre, por nuk u penduan për veprat e tyre.

[12] Pastaj engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij në lumin e madh Eufrat dhe uji i tij u tha për të bërë gati udhën e mbretërve që vijnë nga lindja e diellit.

[13] Dhe pashë të dilte nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë, tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave.

[14] Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t'i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.

[15] ''Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij''.

[16] Dhe i mblodhën në një vend që hebraisht quhet ''Armagedon''.

[17] Pastaj engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në erë; dhe doli një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke thënë: ''U bë''.

[18] Atëherë shkrepën zëra bubullima dhe vetëtima, dhe u bë një tërmet i madh, që i tillë nuk ishte bërë qëkurse u bënë njerëzit mbi tokë, një tërmet kaq fort i madh.

[19] Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve ranë, Babilona e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t'i japë kupën e verës së zemërimit të tij të tërbuar.

[20] Dhe çdo ishull iku, edhe malet nuk u gjetën më.

[21] Dhe një breshër i madh, me peshë prej një talenti, ra nga qielli mbi njerëzit; edhe njerëzit blasfemuan Perëndinë për plagën e breshërit; sepse plaga e tij ishte me të vërtetë e madhe.

Zbulesa — Chapters