[1] Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.
[2] Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.
[3] Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.
[4] Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.
[5] Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.
[6] Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.
[7] Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.
[8] Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.
[9] Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.
[10] Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.
[11] Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.
[12] Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.
[13] Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.
[14] Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.
[15] Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.
[16] Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.
[17] Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.
[18] Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".
[19] Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
[20] Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
[21] Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
[22] Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
[23] Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
[24] "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
[25] Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.
[26] Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
[27] Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.
[28] Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.
[29] Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.
[30] Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.
[31] Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;
[32] por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,
[33] sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.
[34] Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,
[35] kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,
[36] kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?
[37] Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?
[38] E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?
[39] Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?
[40] Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.
[41] Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.
[42] Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.
[43] Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.
[44] Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.
[45] Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.
[46] Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.
[47] Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.
[48] Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.
[49] Syri im derdh lot pa pushim, pa ndërprerje,
[50] deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.
[51] Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.
[52] Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.
[53] Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.
[54] Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".
[55] Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.
[56] Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.
[57] Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"
[58] O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.
[59] O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!
[60] Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.
[61] Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,
[62] fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.
[63] Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.
[64] Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.
[65] Bëji zemërgur, mallkimi yt qoftë mbi ta.
[66] Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.