Skip to content
Opens in a new window

[1] Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.

[2] ''Ndero babanë tënd dhe nënën tënde'', ky është urdhërimi i parë me premtim,

[3] ''që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe''.

[4] Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

[5] Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit,

[6] duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t'u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër,

[7] duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit,

[8] duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti.

[9] Dhe ju, zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur që i tyre dhe juaji Zot është në qiell dhe se tek ai nuk ka asnjë anësi.

[10] Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

[11] Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,

[12] sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.

[13] Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t'i keni kryer çdo gjë.

[14] Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

[15] dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,

[16] mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

[17] Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

[18] duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

[19] dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,

[20] për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.

[21] Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t'ju informojë për të gjitha;

[22] të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.

[23] Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.

[24] Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.

Efesianëve — Chapters