[1] Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
[2] edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.
[3] Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;
[4] as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.
[5] Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.
[6] Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.
[7] Mos jini, pra, shokë me ta.
[8] Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,
[9] sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë,
[10] duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë.
[11] Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t'i qortoni,
[12] sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.
[13] Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë.
[14] Prandaj Shkrimi thotë: ''Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty''.
[15] Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit,
[16] duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.
[17] Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.
[18] Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,
[19] duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,
[20] duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;
[21] nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!
[22] Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit,
[23] sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.
[24] Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t'i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.
[25] Ju, burra, t'i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,
[26] që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,
[27] që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.
[28] Kështu burrat duhet t'i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.
[29] Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,
[30] sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.
[31] ''Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm''.
[32] Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.
[33] Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.