[1] Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:
[2] prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.
[3] Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët
[4] dhe do t'i largojnë veshët nga e vërteta e do t'i sjellin drejt përrallave.
[5] Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.
[6] Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.
[7] Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.
[8] Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.
[9] Përpiqu të vish shpejt tek unë,
[10] sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci.
[11] Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë.
[12] Tikikun e dërgova në Efes.
[13] Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe librat, sidomos pergamenat.
[14] Aleksandri, remtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij.
[15] Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve tona.
[16] Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj.
[17] Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit.
[18] Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen.
[19] Të fala Prishilës dhe Akuilës dhe shtëpisë së Onesiforit.
[20] Erasti mbeti në Korint, por Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.
[21] Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndetin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.
[22] Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju! Amen.