Skip to content
Opens in a new window

[1] Pali, apostulli i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,

[2] Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.

[3] E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë;

[4] dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim,

[5] sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti.

[6] Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia.

[7] Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.

[8] Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,

[9] që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve

[10] dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit,

[11] për të cilin unë u caktova predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve.

[12] Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.

[13] Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.

[14] Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.

[15] Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni.

[16] Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia;

[17] madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti.

[18] Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.

2 Timoteut — Chapters