[1] Tani, o vëllezër, ju bëjmë të ditur hirin e Perëndisë, që u është dhënë kishave të Maqedonisë,
[2] se, në mes të shumë sprovave pikëllimi, mbushullia e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë e treguan në pasuritë e dorëgjërësinë e tyre.
[3] Sepse unë dëshmoj se ata kanë dhënë me dëshirë dhe sipas mundësisë së tyre, madje edhe përtej mundësisë së tyre,
[4] dhe na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët.
[5] Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë.
[6] Kështu ne e këshilluam Titin që, ashtu si e nisi këtë vepër të hirit midis jush, ashtu ta përfundojë.
[7] Por sikurse ju jeni të pasur në çdo gjë, në besim, në fjalë e në dituri, në çdo kujdes dhe në dashurinë tuaj ndaj nesh, përpiquni të pasuroni edhe në këtë vepër të hirit.
[8] Këtë nuk e them si urdhër, por që me anë të kujdesit të të tjerëve të vë në sprovë sinqeritetin e dashurisë suaj.
[9] Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij.
[10] Lidhur me këtë po ju jap një këshillë, sepse kjo është e dobishme për ju, që vjet filluat jo vetëm ta bëni, por edhe ta dëshironi.
[11] Tani përfundojeni edhe bërjen që, ashtu si qe dëshira për të dëshiruar, kështu të jetë edhe për ta përfunduar sipas mundësive që keni.
[12] Sepse, në qoftë se ekziston gatishmëria për të dhënë, ai është i mirëpritur sipas asaj që ka dhe jo sipas asaj që nuk ka.
[13] Por jo që ju të shtrëngoheni që të lehtësohen të tjerët,
[14] por të ndiqet vetëm një kriter barazimi; që tani mbushullia juaj të plotësojë nevojat e tyre, kështu që edhe mbushullia e tyre të plotësojë nevojat tuaja, që të ketë barazi,
[15] sikurse është shkruar: ''Ai që mblodhi shumë, nuk mori më shumë dhe ai që mblodhi pak, nuk mori më pak''.
[16] Le ta falënderojmë Perëndinë, që i shtiu në zemër Titit po atë kujdes për ju,
[17] sepse ai jo vetëm që e pranoi këshillën tonë, por u nis për të ardhur te ju, me dëshirën e tij dhe me shumë zell.
[18] Edhe bashkë me të dërguam edhe vë-llanë, lëvdimi i të cilit për predikimin e ungjillit u përhap në të gjitha kishat,
[19] dhe jo vetëm kaq, por ai u zgjodh nga kishat që të jetë shoku ynë në udhëtim me këtë dhuratë që ne administrojmë për lavdinë e Zotit vetë, për të treguar gatishmërinë e zemrës suaj,
[20] duke shmangur qortimin e ndonjërit në këtë dhuratë bujare që administrohet prej nesh,
[21] sepse kujdesemi të veprojmë mirë jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve.
[22] Edhe ne dërguam bashkë me ta vëllanë tonë, të cilin e kemi vënë në sprovë shumë herë në shumë gjëra dhe doli i zellshëm, por tani është edhe më i zellshëm për shkak të besimit të madh që ka ndaj jush.
[23] Sa për Titin, ai është bashkëpunëtori im dhe shok i veprës midis jush; sa për vëllezërit, ata janë apostuj të kishave, lavdi e Krishtit.
[24] U tregoni atyre provën e dashurisë suaj dhe pse mburremi me ju edhe përpara kishave.