[1] Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,
[2] sepse ai thotë: ''Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova''. Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.
[3] Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;
[4] por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,
[5] në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,
[6] me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,
[7] me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,
[8] në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;
[9] si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;
[10] si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s'kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.
[11] Goja jonë u hap për ju, o Korintas, zemra jonë u bë e gjërë.
[12] Ju nuk jeni ngushtë në ne, por ju jeni të ngushtë në zemrat tuaj.
[13] Por në shkëmbim po ju flas si fëmijve, bëhuni të gjërë edhe ju.
[14] Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç'lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin?
[15] Dhe ç'harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç'pjesë ka besimtari me jobesimtarin?
[16] Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ''Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im''.
[17] Prandaj ''dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t'ju pranoj,
[18] dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm''.