[1] I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje.
[2] E pyeta: "Ku po shkon?". Ai m'u përgjigj: "Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij".
[3] Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë,
[4] dhe i tha: "Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të.
[5] Sepse unë", thotë Zoti, "do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij".
[6] Oh, oh! "Ikni nga vendi i veriut", thotë Zoti, "sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit", thotë Zoti.
[7] Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë!
[8] Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij.
[9] Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.
[10] Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje", thotë Zoti.
[11] "Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.
[12] Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.
[13] Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë".