Skip to content
Opens in a new window

[1] Por ti shpall ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë:

[2] pleqtë të jenë të përmbajtur, dinjitozë, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim.

[3] Gjithashtu edhe gratë e moshuara të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve, jo shpifëse, jo robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës,

[4] që t'i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre,

[5] të jenë fjalëpakë, të dlira, t'i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.

[6] Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur,

[7] duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri,

[8] një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju.

[9] Shërbëtorët t'u binden zotërinjve të tyre, të mundohen t'i kënaqin në të gjitha gjërat, të mos i kundërshtojnë me fjalë,

[10] të mos përvetësojnë gjënë e huaj, por të tregojnë një besnikëri të plotë, që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

[11] Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve,

[12] dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë,

[13] duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht,

[14] i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.

[15] Mësoju këto gjëra, këshillo dhe qorto me çdo pushtet! Askush mos të përçmoftë.

Titi — Chapters